Një aksident tragjik është shënuar mëngjesin e sotëm në aksin rrugor “Pogradec–Qafë Thanë”, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në liqenin e Ohrit.
Sipas informacioneve, dyshohet se drejtuesi i automjetit, shtetasi A. B., 34 vjeç, ka humbur kontrollin mbi mjetin, duke bërë që automjeti të devijojë nga rruga dhe të përfundojë në ujë.
Fatkeqësisht, për shkak të plagëve të marra, 34-vjeçari ka humbur jetën në vendngjarje.
Autoritetet njoftojnë se grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.


