Pas motit të keq të ditëve të fundit, bregu i liqenit të Pogradecit është përballur me dalje të konsiderueshme algash. Që prej ditës së shtunë, Bashkia Pogradec ka angazhuar çdo ditë punonjësit e saj për pastrimin e vijës bregliqenore, nga ish-vilat deri në Tushemisht.
Sipas njoftimit zyrtar, sasia e algave të nxjerra ka qenë shumë e madhe, duke e bërë procesin e pastrimit të vazhdueshëm dhe të ngarkuar. Për të përshpejtuar punën, pritet mbërritja e dy mjeteve të reja ndihmëse: një mjet teknologjik i posaçëm për pastrimin e algave dhe një kamion shtesë për transportin e tyre.
Bashkia Pogradec ka theksuar se është e angazhuar maksimalisht për të garantuar pastërtinë e bregut të liqenit dhe mirëmbajtjen e kësaj pasurie të çmuar natyrore.


