Shpesh herë profesioni të merr shumicën e kohës, ndërsa njerëzit mezi gjejnë kohën për pasionet e tyre. Por, shefi i komisariatit të Kolonjës Ardian Fezollari bën gjithçka që pasionin e tij si fotograf të mos e lërë asnjëherë pas dore. Ai ka treguar për gazetaren Iris Rezhda si është të jetosh mes profesionit të policit dhe pasionit të fotografit.
Pasioni i tij është fotografia, por kohën më të madhe ja kushton rendit.Ardian Fezollari është Shefi i Komisariatit në Kolonjë, ndërsa sa herë gjen kohë ai bën shkrepje.Aparatin e parë e bleu në vitin 1991, një vit pasi kishte mbaruar akademinë e policisë dhe ishte transferuar në Spaç aty ku punonte.”Kam filluar punë për herë të parë në repartin 303 Spaç, Mirditë. Aparatin e parë fotografik e kam blerë në vitin 1991 në një dyqan që kishte mallrat ë përzierë,” tha Fezollari.
I specializuar në kriminalistikë, punën dhe pasionin i shikon si të pandara me njëra tjetrën.”Vite më vonë jam specializuar në kriminalistikë që dihet mjaft mirë se një nga pajisjet bazë të kriminalistikës është aparati fotografik,” shprehet ai.Vendi ku ai jeton, Pogradeci, e ka ndihmuar shumë shefin e policisë për ta ushtruar pasionin e tij natyrën e mrekullueshme të qytetit.”Unë kam ngelur te natyra, mbase dhe për shkak të Pogradecit i cili është një qytet piktoresk dhe të ofron mundësi zhvillimi,” tha Fezollari.
Lëvizja e herë pas hershme nëpër qytete ku shumë herë ka qenë drejtuar, ka qenë një ndihmë e madhe për të, pasi ka eksploruar natyrën shqiptare në të gjitha zonat.Pavarësisht pasionit të tij, nëse do të ishte përballë një zgjedhje Ardian Fezollari do të zgjidhte profesionin dhe jo pasionin.