Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka zhvilluar një sërë veprimesh hetimore dhe proceduriale gjatë orëve të fundit, ku janë evidentuar disa raste dhune, shkelje ligjore dhe aksidente rrugore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 30 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori për babain e tij, A. Ç., 55 vjeç, banues në fshatin Dishicë, pasi dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit.
Ndërkohë, u proceduan penalisht:
- V. B., 51 vjeç, banues në Voskopojë, për dhunë ndaj një 61-vjeçari;
- E. G., 48 vjeç, banues në Korçë, për goditje ndaj një 40-vjeçari;
- D. A., 40 vjeç, banues në Korçë, për dhunë ndaj një 73-vjeçari;
- Xh. E., 36 vjeçe, administratore biznesi, pasi nga pakujdesia shkaktoi dëmtime në një biznes fqinj duke lënë hapur një rubinet uji;
- K. H., 32 vjeç, banues në Lozhan, i kapur duke transportuar 18 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme. Lënda drusore u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;
- J. M., 62 vjeç, banues në Turan, i cili dyshohet se ka ndezur zjarr nga pakujdesia, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje me bimësi.
Nga sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nisi procedimi penal për M. B., 27 vjeç, dhe u shpall në kërkim A. Sh., 32 vjeç, banues në Pogradec. Dyshohet se 32-vjeçari ka kanosur një 18-vjeçar përmes telefonit, duke i kërkuar që të paguante 800 euro shtetasit M. B., me të cilin po udhëtonte nga Selaniku drejt Pogradecit.
Po ashtu, specialistët e Qarkullimit Rrugor proceduan penalisht G. O., 34 vjeç, banues në Prrenjas, pasi në aksin “Korçë-Kapështicë” humbi kontrollin e automjetit, duke shkaktuar daljen e tij nga rruga dhe lëndimin e lehtë të 2 pasagjerëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për vijimin e mëtejshëm të veprimeve proceduriale.


