Nga Auron Tare
Në një stan të humbur të Kolonjës jeton Rio, një bari i ardhur nga India, i cili me praninë e tij përfaqëson paradoksin e madh të kohëve moderne: ndërsa të huajt mbajnë gjallë tufat në malet tona, vetë shqiptarët po braktisin një traditë që ka formuar ekonominë dhe kulturën e vendit për mijëra vjet.
Dikur Kolonja dhe Kurveleshi ishin ndër krahinat më të pasura me kope e stane, duke krijuar një mënyrë jetese të ndërtuar mbi blegtorinë nomade dhe një trashëgimi të pasur kulturore. Sot, kjo botë është në shuarje, me numrin e tufave gjithnjë e më të pakët dhe me të rinjtë që nuk zgjedhin më jetën baritore.
Kjo humbje nuk prek vetëm identitetin e krahinave tona, por edhe potencialin turistik të Shqipërisë. Pastoralizmi tashmë është shpallur nga UNESCO pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit, por në vendin tonë mungojnë projektet dhe politikat për ta mbrojtur dhe promovuar.
Historia e Roit në Kolonjë na kujton se ruajtja e kulturës baritore nuk është vetëm një detyrim moral, por një mundësi për të ndërtuar turizëm të qëndrueshëm dhe për të mbajtur gjallë një pjesë thelbësore të identitetit shqiptar. Shqipërisë i duhen barinj shqiptarë për të mos humbur këtë pasuri të rrallë.


