Close Menu
KolibriKolibri
    Më të klikuarat

    Përmbytjet në fushën e Korçës kërkojnë plane të reja nga bashkitë

    June 27, 2026

    Konferenca shkencore: “Vlerësimi i njohurive lokale tradicionale etnobotanike në Bashkinë e Kolonjës – kontribut për ruajtjen e diversitetit biokulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm”

    June 23, 2026

    Androniqi Zengo, piktorja që bëri bashkë ikonografinë dhe impresionizmin

    May 27, 2026
    Facebook X (Twitter) Instagram
    KolibriKolibri
    • Kreu
    • Aktualitet
      • Politikë
      • Kronikë
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Bota
      • Kulturë
    • Korça +
      • Korçë
      • Pogradec
      • Devoll
      • Kolonjë
      • Maliq
      • Pustec
    • Opinion
    • Personazh
    • Showbiz
    • Sport
    KolibriKolibri

    Ben Blushi hap debatin e madh në Shqipëri; “Të legalizohet eutanazija” (vdekja me dëshirë)

    Opinion September 22, 2023
    Shpërndaje
    Facebook Twitter LinkedIn Pinterest Email

    Një njeri që e njoh prej 30 vjetësh vrau veten. Disa muaj më parë ishte diagnostikuar me kancer në pankreas dhe pas shumë përpjekjeve,torturave përpëlitëse dhe netësh pagjumë, vendosi ta sulmonte tumorin me tuba dhe thika dhe të bënte një ndërhyrje që ia shtoi edhe më shumë vuajtjet dhe ia hoqi shpresën përfundimisht.

    Kur i doli narkoza, mjekët i thanë se ndoshta nuk kishte më shumë se dy javë jetë. E kthyen në shtëpi të gjymtyar, të përgjysmuar, të mavijosur, të dobët, të zhbërë dhe aq të pafuqishëm saqë gruaja dhe vajza e ushqenin, e lanin, e ngrinin dhe e ndrronin si një bebe sa herë e pastronin. Sapo kuptoi se ky proces i neveritshëm shërbimi, do vazhdonte deri ditën e fundit të jetës, mori pistoletën dhe vrau veten. Kishte qenë polic.

    Desktop Promo
    Desktop Promo

    Iku duke mbrotjur dinjitetin e vet dhe duke i kursyer gruas dhe fëmijëve një dhimbje që ndoshta nuk do t’u shqitet më kurrë. I zhveshur nga funksionet jetësore, atij i kishte mbetur në dorë vetëm një gjë: të mos zhburrërohej. Duke vrarë veten u çlirua nga dara dhe nga dora e hekurt e metastazave dhe po ashtu shpëtoi njerëzit që donte nga një skelet që merr frymë, siç ishte katandisur.

    Unë e admiroj këtë njeri. Ai gjeti forcë t’i japi fund jetës atëherë kur ajo u kthye në një mizori.

    Para se të ikte pagoi të gjitha borxhet që kishte bashkë me faturën e funeralit të vet. Shkonte çdo ditë te varri, të cilin e kishte bërë gati prej muajsh. E ujiste, e zbukuronte, e rregullonte, e sistemonte, duke e mbjellë me lule dhe duke fërkuar pllakën e bardhë me emrin e tij. Në varreza, me siguri kishte patur kohë të njihej me fqinjët, me të cilët tani do kalojë pjesën e mbetur të vdekjes dhe ishte miqësuar me varrmihësit e vet duke pirë një kafe pa sheqer dhe ndoshta duke i lënë një bakshish që ta varrosnin mirë.

    Kur imagjinoj sesi ka marrë armën dhe ka parë diellin për herë të fundit, përpiqem të hyj në kokën e një njeriu që e di se po vdes. Çfarë mendimesh mund të ketë dikush që del çdo ditë nga shtëpia dhe shkon në varrin e tij njëlloj sikur shkon në punë. Aty flet me vete, qan, ngashërehet, urren, mëshiron, kujton, harron, fal dhe mërzitet për gjërat që nuk i bëri dot, pa u gëzuar për gjërat që i bëri mot dhe si bën më sot.

    Arsyeja pse po shkruaj këto rreshta nuk është dhimbja për atë që iku, por për ata si ai që janë ende gjallë. Pacientë terminalë që dergjen nëpër spitale, të kthyer në mbetje biologjike e cila as nuk ndjen, as nuk shijon, as nuk lëviz, por vegjeton. Këta njerëz që nuk kanë asnjë faj për gjendjen ku ndodhen, përveçse jetojnë në ferr, janë dhe ferri i atyre që duan dhe i duan. Nuk ka gjë më të rëndë se sa kur ata që të duan, duan vetëm se si të shpëtojnë nga ty. Këtu vdekja ka korrur fitoren e parë të madhe. Të ka marrë dhembsurinë e tyre, para se të marrë pjesërisht trupin, pastaj mendjen dhe në fund shpirtin.

    Shumica e këtyre të sëmurëve luten çdo ditë si të vdesin. Por nuk dinë se si. Nëse do kishin mundësi dhe kurajo do ta kishin vrarë veten njëlloj si miku im, por fatkeqësisht ata nuk kanë as kurajo dhe as mundësi. Të shtrirë nëpër krevate nga ku nuk ngrihen më, ata nuk dalin dot në rrugë për të blerë një armë dhe për të vrarë veten. Atëherë kush i shpëton ata nga jeta? Kush i jep fund jetës së tyre pa kuptim?

    Vende të cilat janë ndarë nga traditat kishtare, sipas të cilave jetën mund të marrë vetëm ai që ta ka dhënë, pra Zoti, po e zgjidhin këtë dilemë në favor të njeriut. Ata mendojnë më shumë për dhimbjet e njeriut sesa të Zotit. Ata kanë miratuar eutanazinë, ose vdekjen e asistuar, e cila i jep mundësi pacientëve të pashpresë, të zgjedhin të vdesin atëherë kur kërkojnë të vdesin, sepse nuk munden më, sepse edhe shkenca nuk mundet më.

    Shteti të lejon dhe të ndihmon të vdesësh. Nuk ke nevojë të kërkosh një armë, të hidhesh nga dritarja,të presësh damarët apo të shëmtohesh e të deformohesh duke cënuar dinjitetin tënd. Mund të vdesësh me lejen dhe me ndihmën e shtetit. Mjafton një shiringë e mbushur me lëng që të ve në gjumë për të mos u zgjuar më. Një grup mjekësh miratojnë procedurën e parashikuar nga ligji dhe jeta jote ndërpritet në mënyrë paqësore. Mes teje dhe vdekjes ka kompromis. Ka mirëkuptim.

    Meqë Shqipëria po kthehet gradualisht në një Republikë Ultraliberale, e cila lejon me ligj shumicën e veseve njerëzore, përfshi tymosjen, bastet dhe lojërat e fatit,pa folur për veset që toleron pa ligj, atëherë pse mos e lejojë dhe vdekjen e ëmbël? A duhet të kenë të drejtë pacientët e pashpresë t’i kërkojnë shtetit t’i vrasë, atëherë kur nuk munden më? Pse duhet që njerëzit të vrasin veten kur mund t’ia kërkojnë këtë shërbim shtetit, të cilit i paguajnë taksa për të jetuar më mirë, por edhe për të vdekur më mirë?

    A duhet legalizuar eutanazija?

    Sa e ëmbël dhe shpëtimtare do ishte eutanazija për mikun tim polic dhe familjen e tij, e cila sot me siguri është e traumatizuar nga pistoleta që i mori jetën babait. Në provincat e Shqipërisë, si kudo tjetër, për fat të keq vetëvrasja paragjykohet dhe quhet një akt i ulët, një anomali. Sigurisht që vetëvrasja është një dorëzim, por në rastin e mikut tim është një detyrim. Një shpëtim. Është një zgjidhje dinjitoze të cilën nuk kishte ku ta kërkonte tjetër. Atë e braktisi natyra, shkenca, shteti dhe Zoti. E lanë vetëm. E tradhëtuan. Prandaj e gjeti zgjidhjen vetë, si një qenije e fortë, racionale dhe inteligjente. Natyrisht nuk do ta bënte sikur shteti ta ndihmonte të vdiste përmes eutanazisë. Përmes vdekjes së ëmbël të cilën kaq shumë njerëz mezi e presin dhe sigurisht e meritojnë prej kohësh.

    Desktop Promo
    Mobile Promo
    djathtas
    Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Tumblr Telegram Email
    Desktop Promo
    Mobile Promo

    Postime të ngjashme

    Androniqi Zengo, piktorja që bëri bashkë ikonografinë dhe impresionizmin

    May 27, 2026

    Personazh / Marigo Pozio në lëvizjen kombëtare dhe shoqërore

    February 2, 2026

    Dorian Potka, i riu që la emigrimin dhe ngriti akademi të arteve marciale në Korçë

    January 19, 2026
    Leave A Reply Cancel Reply

    Max Winery
    Eco Concept
    Mjalti Morava
    Minutë pas minute

    Përmbytjet në fushën e Korçës kërkojnë plane të reja nga bashkitë

    June 27, 2026

    Konferenca shkencore: “Vlerësimi i njohurive lokale tradicionale etnobotanike në Bashkinë e Kolonjës – kontribut për ruajtjen e diversitetit biokulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm”

    June 23, 2026

    Androniqi Zengo, piktorja që bëri bashkë ikonografinë dhe impresionizmin

    May 27, 2026

    Voskopoja, mes kishave shekullore dhe natyrës alpine

    April 16, 2026

    Shqipëria mes vendeve ku amerikanët po zgjedhin të jetojnë

    April 16, 2026

    Kultura shqiptare kryefjalë e eventeve në Shamberi të Francës, ekspozitë me 45 vepra arti nga Muzeu i Korçës

    February 9, 2026
    Na ndiqni
    • Facebook
    • Twitter
    • Pinterest
    • Instagram
    • YouTube
    • Vimeo
    Kolibri

    Kolibri.al është një platformë dixhitale informimi dhe promovimi të njerëzve dhe territorit në rajonin e Korcës. Në kontakt të përditshëm me terrenin dhe lajmin, synojmë te sjellim të vërtetën me profesionalizëm dhe etikë.

    Facebook X (Twitter) Pinterest YouTube WhatsApp
    Kryesore

    Përmbytjet në fushën e Korçës kërkojnë plane të reja nga bashkitë

    June 27, 2026

    Androniqi Zengo, piktorja që bëri bashkë ikonografinë dhe impresionizmin

    May 27, 2026

    Voskopoja, mes kishave shekullore dhe natyrës alpine

    April 16, 2026
    Më të klikuarat

    Konferenca shkencore: “Vlerësimi i njohurive lokale tradicionale etnobotanike në Bashkinë e Kolonjës – kontribut për ruajtjen e diversitetit biokulturor dhe zhvillimin e qëndrueshëm”

    June 23, 2026

    Ilir Topi nuk do të jetë deputet, ja çfarë zbulohet

    March 12, 2025

    Historia unike dhe e panjohur e 3 korçarëve që i mbijetuan katastrofës të Titanikut

    July 28, 2023
    © 2026 kolibri.al. Crafted by BeeTech Solutions
    • Kontakt
    • Politikat e privatësisë

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.