Në ambientet e Bibliotekës “Thimi Mitko” në Korçë u zhvillua sot një tryezë bashkëpunimi në kuadër të programit Zero City Lab, një nismë inovative që synon afrimin e aktorëve lokalë për zgjidhje të qëndrueshme në menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin e ekonomisë qarkulluese.
Në qendër të diskutimeve ishte bashkëpunimi i institucioneve vendore me universitete, biznese dhe përfaqësues të shoqërisë civile, për të adresuar sfida konkrete në sektorë si bujqësia, turizmi dhe industria tekstile.
Gjatë tryezës u njoftua se së shpejti do të hapet thirrja për grante, ku bizneset vendore do të kenë mundësinë të aplikojnë për mbështetje financiare deri në 50,000 euro, për ide dhe projekte që sjellin ndikim pozitiv për mjedisin dhe komunitetin.
Bashkia e Korçës vijon të mbështesë fuqishëm çdo iniciativë që promovon zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe përfshirjen e komunitetit në nisma me ndikim afatgjatë.


