Burrnesha me autore Sara Giacomelli dhe regji të Valbona Xibri, interpretuar nga ukrainasja Maryna Ivashchenko ka çelur mbrëmë në Korçë festivalin ndërkombëtar të monodramës. Regjisorja Valbona Xibri i ka besuar “burrnesha” një aktoreje ukrainase e cila kur e ka lexuar pjesën ka mbetur e befasuar nga njëra anë por edhe e mrekulluar nga ana tjetër. Për atë histori që haset vetëm në veriun e vendit tonë.
“Është rol shumë interesant dhe i veçantë, gjithashtu shumë interesante për një aktore që ta pranojë këtë personazh. Është një histori shumë interesante dhe vërtet e lashtë. Ideja për të qenë një burrë i tillë është shumë e çuditshme dhe më preku shumë, por karakteri, karakteri i djalit është të jesh burrë. Mendoj se është një zgjedhje shumë serioze. Nuk kisha hasur me pare personazhe burrnesha, e pashe nje ketu ne foto. Ne fund i thashe babait qe jam Gjergji djali jot qe ti vertete e ke dashur, kam bere zgjedhjen time dhe jam ne rregull keshtu“- tha Maryna Ivashchenko.
Regjisorja Valbona Xibri tha se ukrainasja e ka pritur me dëshirë këtë rol dhe nuk ka qenë aspak e vështirë për të punuar me të dhe për të sjellë kaq të besueshëm “burrneshën”.
Aktorja në fund të intervistës ka kënduar shqip këngën e njohur dibrane të Hajredin Pashës.
Në edicionin e 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës ndryshe nga herët e tjera marrin pjesë trupa nga vende të ndryshme si Italia, Turqia, Greqia, Bullgaria, Spanja, Polonia dhe Kazakistani. Festivali që filloi mbrëmë mbyllet më 26 qershor.