Edicioni i tretë mbarëkombëtar i Konkursit të Letërsisë së Humorit “Niko Nikolla” ka ngritur siparin në qytetin e Korçës. Teatri “Andon Zako Çajupi” është mikpritës i këtij eventi kulturor, ku për dy net me radhë 31 autorë të prozës, poezisë dhe komedisë, nga Shqipëria dhe vende të ndryshme të botës, bashkohen përmes artit të humorit. Organizatorja e konkursit, Flora Nikolla, njëkohësisht vajza e gazetarit Niko Nikolla, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për promovimin dhe ngritjen në një tjetër nivel të letërsisë humoristike.
Pjesë e konkursit ishte edhe komediani, aktori dhe karikaturisti Bujar Kapexhiu, i cili vlerësoi kompeticionin, duke nënvizuar se humori është një nga zhanret më të vështira të artit dhe se në Shqipëri ka autorë të shumtë që i janë përkushtuar këtij zhanri.
Përveç letërsisë humoristike, në hollin e teatrit janë ekspozuar edhe karikatura me mesazhe të forta sociale dhe aktuale, nga inteligjenca artificiale deri te situata politike botërore. Karikaturisti i ri Endrit Beqo prezantoi një punim që përcjell mesazhin e një bote pa paqe.
Mbrëmja e parë shënoi hapjen zyrtare të konkursit, ndërsa mbrëmjen e së dielës pritet të zhvillohet ceremonia e ndarjes së çmimeve për botimet më të mira humoristike, në praninë e autorëve, artistëve dhe personaliteteve të njohura të artit dhe kulturës.


