Nga Ledjan Zeqollari
Situata ekonomike dhe financiare e Shqipërisë në vitet 1920-1921
Në vitin 1922 i dërguari i Lidhjes së Kombeve për Shqipërinë, profesori i ekonomisë Albert Calmes (1881-1967), pasi vëzhgoi nga afër situatën ekonomike të shtetit shqiptar i cili sapo ishte pranuar në këtë organizatë, detajoi një raport të hollësishëm mbi situatën në vend. Në faqet 16-19 të raportit jepen të dhëna për situatën e importeve dhe eksporteve, ku shkruhet:

“Tregëtia shqiptare është një pasuri me rëndësi të madhe për të ardhmen ekonomike të vendit. Ndërsa shumica e bujqëve janë të pashkolluar, tregtari zakonisht posedon njëfarë arsimimi dhe pranon me lehtësi ide të reja. Në të qëndron krijimi i një klase intelektuale, e cila një ditë do të suportojë njerëzit që do të marrin në dorë kontrollin e jetes ekonomike. Për shkak të komunikimeve të këqija, tregtia e brendshme e Shqipërisë është e kufizuar në tregjet lokale dhe ka pak rëndësi.

Tregtia e jashtme. — Statistikat e tregtisë së jashtme të hartuara në lireta italiane, janë të disponueshme për vitin 1920 dhe në franga ari për vitin 1921.
Tregtia e jashtme me vendet e ndryshme jepet në tabelën e mëposhtme, shifrat për vitin 1920 janë konvertuar në franga ari në kursin prej katër lirave për frangë, për të bërë një krahasim me shifrat për 1921.”

Sipas tabelës së hartuar nga Calmes në vitet 1921 importoheshin me shumë produkte leshi, sheqer, alkool, kafe, oriz, miell, naftë, sapun etj. Ndërsa më tepër eksportoheshin lekurë, lesh, ullinj dhe vaj ulliri, vezë, duhan etj. Tregëtia e jashtme bëhej kryesisht me Italinë, Greqinë, Turqinë, Britaninë e Madhe, Austrinë dhe Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene.

Në bazë të të dhënave bilanci tregtar i Shqipërisë paraqitej me një defiçit të madh dhe situata ishte jashtëzakonisht serioze. Eksperti i Lidhjes së Kombeve sugjeronte nevojën urgjente të reduktimit të importeve dhe rritjes së eksporteve si dhe fillimisht duheshin bërë përpjekje për të rritur prodhimin e artikujve që Shqipëria asokohe i prodhonte, por në sasi të pamjaftueshme. Ato ishin kryesisht produktet bujqësore.

Gjithashtu sipas tij, importimi i mallrave të panevojshme duhet të kufizohej. Eksportet mund të rriteshin vetëm me anë të rritjes së prodhimit. Ekzaminim i artikujve të importuar dhe eksportuar tregonte se kërkesa kryesore ishte rritja e prodhimit bujqësor, pasi produktet bujqësore zinin vendin më të rëndësishëm si në import ashtu edhe në eksport.
Arkivi i Bibliotekës së Universitetit të Kalifornisë.


