Skënderbeu është i përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat përballë Egnatias, si takimi i parafundit i sezonit ku korçarët janë të vendosur për të shmangur zonën e ftohtë të renditjes dhe mbi të gjitha jo vetëm rënien direkte, por edhe vendin e tetë në renditje që të çon në “play-out”. Ndaj i gjithë përqendrimi është vetëm te ndeshja e radhës në transfertë.
I këtij mendimi është edhe mbrojtësi ganez i Skënderbeut, Randi Dumfur, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, është shprehur se ekipi është gati për një ndeshje të rëndësishme dhe përqendrimi këto ditë ka qenë maksimal.
“Janë dy ndeshjet e fundit dhe kemi hyrë në një fazë tejet të nxehtë të sezonit kur çdo gabim është i ndaluar, pasi nuk ke më mundësi që të rikuperosh. Vijmë nga një seri ndeshjesh të mira dhe morali është pozitiv për ekipin tonë. Jemi të përqendruar vetëm tek ndeshja e radhës në kampionat që është ajo në transfertë ndaj Egnatias. Është një takim i vështirë, pasi luajmë kundër kampionëve në fuqi dhe vendit të parë në renditje. Kjo e bën edhe më të vështirë këtë ndeshje.
Por jemi duke u përgatitur mirë dhe kemi punuar fort gjatë kësaj jave. Po mendojmë vetëm për këtë ndeshje dhe synojmë që të bëjmë më të mirën. Në futboll nuk ka kurrë siguri ndaj duhet të shkojmë për të dhënë maksimumin. Më pas të shohim se çfarë do të mund të marrim nga ky takim. Edhe një pikë do të ishte e rëndësishme, por ne do të shkojmë me idenë e qartë për të tentuar maksimumin. Ka rëndësi që të zhvillojmë ndeshjen tonë më të mirë dhe më pas të bëjmë llogaritë” theksoi fillimisht Randi Dumfur.
MBIJETESA – I ndalur më pas te lufta për qëndrimin në kategorinë e më të mirëve, Randi u shpreh se ky ka qenë një nga sezonet më të vështira për shkak të konkurrencës së madhe që ka pasur në këtë sezon. Ganezi nuk e diskuton aspak qëndrimin në Superiore, madje edhe duke shmangur ndeshjen shtesë. “Ne nuk duam të diskutojmë aspak çështjen e mbijetesës, pasi nuk jemi ekipi që shkon për këtë objektiv. Përtej faktit se ky sezon ka qenë jo shumë pozitiv në pjesën më të madhe të tij. Ishte një kampionat shumë i fortë dhe gara ka qenë e madhe mes shumë ekipeve.
Kjo tregohet edhe nga ngjeshja që kanë në renditje. Ne kemi qëllim që të sigurojmë pa probleme qëndrimin në Superiore. E them këtë, pasi duam të shmangim edhe vendin e tetë që të çon në ‘play-out’. Kjo do të ishte ideale për të mbyllur në mënyrë pozitive një sezon të vështirë”, theksoi Dumfur.


