Dy shtetas u arrestuan në flagrancë në Korçë, pasi u kapën me lëndë narkotike të ndarë në doza, gati për shitje. Në automjetin me të cilin lëviznin, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” gjetën dhjetëra doza kanabisi, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre u sekuestrua një sasi tjetër e lëndës narkotike, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe fishekë për armë gjahu.

Të arrestuarit janë E. P., 30 vjeç, banues në Korçë, i akuzuar për prodhim e shitje narkotikësh dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë, si dhe S. M., 25 vjeç, banues në fshatin Vashtmi të Maliqit, i cili akuzohet për të njëjtat vepra penale, si dhe për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia njofton se vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për të identifikuar dhe vënë në pranga persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rrjet shpërndarjeje droge.


