Aktivitetet e ndryshme kulturore dhe artisitke e kanë kthyer qytetin e Korçës në një ‘gur magnetik’ për shumë njerëz por edhe media kombëtare të cilat i pasqyrojnë ato. Së fundi ishte rikthimi i këngëtarit Mihallaq Andrea në skenë, pas shumë vitesh mungesë, ndërsa do të rezervojë një tjetër moment special në fundvit, për të gjithë adhuruesit e muzikës së tij. Por jo vetëm kaq, të tjera aktivitete pritet të ndodhin në vijim.
Të ftuar në emisionin “Një gotë rose”, në MCN televizion, nënkryetarja e Bashkisë Korçë për kulturën dhe turizmin, Benila Themeli, drejtorja e Qendrës Kulturore “Vangjush Mio”, Blerta Belliu dhe këngëtari Aurel Thëllimi kanë folur më tepër mbi këtë aspekt të rëndësishëm të qytetit, që e bëjnë sa të veçantë, aq edhe të kërkuar e të dashur për të gjithë.
Çfarë ka kaq të veçantë Korça?
“Ka diçka romantike, ka diçka qytetare, ka diçka të ndryshme nga çdo cep tjetër i Shqipërisë dhe këtë nuk e themi vetëm ne që jemi nga Korça dhe e duam. Korça ka sharm, ka kulturë, ka edukatë. Jo rastësisht Mësenjtorja e Parë dhe shumë lëvizje kombëtare që kanë filluar nga Korça janë frymëzuar, patjetër që kanë pasur komunikim me emigracionin e asaj kohe. Ne sot kemi sharmin e asaj kohe dhe një energji të re. Ka një energji të mirë dhe vibron”, u shpreh Themeli.
Pse janë kaq të lidhur korçarët me qytetin e tyre?
Për këngëtarin Aurel Thëllimi, Korça është ë bekuar nga Zoti dhe çdo gjë është e bukur, madje edhe debatet janë të tilla.
“ Korça është një infrastrukturë e bekuar nga Zoti. Çdo qenie e do vendin ku lind. Korça është e hidhur sepse e respekton dhe i jep kuptim çdo fjale. Fjala “vlerë” në Korçë justifikohet që nga shkronja “v” e deri te “ë”. Nëse shkëputesh dhe shkon sërish pas shumë kohësh në një banesë që mund të jetë shumë modeste, ti do t’i gjesh punët e tua atje ku i ke lënë. Ke ikur 15 vjeç, do të shkosh 30 vjeç dhe do të ndjekësh rregullat që ka pallati, do dalësh të fshish shkallët, oborrin. Që këtu fillon kultura e organizuar. Një qytet që vërtet i jep rëndësi fjalës, duke thënë edhe fjalën e keqe ty të bën të reagosh. Korçën e ka bekuar Zoti në çdo fushë, të artistëve, në atë të shkencës, të futbollit. Jemi në shekullin XXI ku po zhvillohet individualizmi, ndërsa në Korçë zhvillohesh në grup shoqëror. Prandaj edhe fjalët janë më të rënda, sepse marrëdhëniet shoqërore janë siç kanë qenë. Një personazh që s’po kujtohet, ka thënë: “një qytet shikohet nga varrezat”. Ne kemi varrezat më të bukura në Evropë. Korça është një qytet i bekuar nga ajri, nga malet dhe nga njerëzit”, tha këngëtari.
“Edhe kur debatojnë, debatojnë bukur, fjala më e rëndë është “të të vijë rëndë””, shtoi ai.
Pse ka kaq shumë aktivitete në Korçë?
“Ka një traditë të jashtëzakonshme në art dhe kulturë, nga teatri që është shumë vjeçarë dhe nga artistë që kanë lënë gjurmë të jashtëzakonshme dhe ne jemi munduar ta mbajmë atë stafet, ndoshta për ta çuar edhe më tutje. Ajo që mendoj se është një gjë e zgjuar që ka bërë qyteti, është se nuk jemi të përqendruar brenda nesh, jemi përpjekur të bëjmë bashkëpunime edhe nga artistë të tjerë, nga Tirana e vende të ndryshme të botës. Ata kanë sjellë edhe artin e mirë. Kjo është një ndër sukseset që kemi”, tregoi Blerta Balliu.


