Një nga dijetarët e mesjetës, Erazmi Roterdamit shkruante:
“Respekti i ndërsjellë mes mësuesit dhe nxënësit është hapi më i rëndësishëm drejt dijes“.
E tillë është mësuese Elsa Shuke, e cila me dijen dhe formimin e saj kulturor e shkencor, u bë promovuese e vlerave të figurës së mësuesit, kurse me kontributin në jetën shoqërore, u bë misionare dhe qytetare e denjë.
Elsa Papa (Shuke) u lind më 21 maj 1944 në Përmet në familje me tradita qytetare. Atje kaloi fëmijërinë dhe kreu shkollimin fillestar. Në vitin 1956 u transferua në Pogradec me familjen. Në vitin 1962 pas përfundimit të shkollës 7-vjeçare, vazhdoi gjimnazin “Reshit Çollaku”. Gjatë viteve të gjimnazit ka qenë jo vetëm e dalluar në mësime, por edhe veprimtare e drejtuese e organizmave rinore të kohës, aktiviste në veprimtaritë kulturore e artistike të shkollës e qytetit. Pas përfundimit të gjimnazit me rezultate shumë të mira, fitoi të drejtën për të vijuar studimet në Institutin e Lartë Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani”, Tiranë, dega matematikë- fizikë.
Në vitin 1965 filloi punën mësuese në shkollën 8-vjeçare “Gjok Shqiptari” Pogradec, ndërsa pas dy vitesh e transferuan së bashku me bashkëshortin, Bardhyl Shuke, në atë kohë mësues në gjimnaz, në shkollën 8- vjeçare të fshatit më të largët të Mokrës, Velçan. Megjithëse mësuese profesioniste, shkaku ishte përtej logjikës së arsimit, por brenda logjikës së regjimit të kohës, sikurse e shpreh vetë ajo:
“Shkak u bë mospranimi i propozimit për të më emëruar inspektore në seksionin e arsimit. Motivacioni: “Tendencë rehatllëku, nuk pranon ngritjen në përgjegjësi!!”.
Elsa nuk u përkul. Mposhti vështirësitë e jetës në fshat, vazhdoi punën pa ujë, pa drita, në një banesë përdhese në oborrin e shkollës. Atje rriti foshnjën për dy vjet, duke u kthyer në shembullin më pozitiv në rreth. Pasi rikthehet në Pogradec, disa vite punoi mësuese në shkollat e qytetit, më pas tre vjet drejtoreshë e shkollës “30- vjetori i Çlirimit”, pesë vjet të tjerë drejtoreshë e shkollës “Koli Gusho”.
Në drejtimin e shkollave spikati korrektësia, përkushtimi, vullneti, pasioni, fryma mobilizuese e kolektivit pedagogjik, planifikimi e organizimi i detajuar. Me moton “do ta bëjmë bashkë”, drejtoreshë Elsa e fillonte e para, me ndihmën e çmuar të zv. drejtorit, Z. Agron Starova, të cilin e kujton me mirënjohje e respekt!
Në vitet 1984-1989 ka punuar sekretare e Komitetit Ekzekutiv të K. P të Rrethit të Pogradecit dhe dy vjet përgjegjëse e Seksionit të Kulturës. Edhe në këto detyra vazhdoi të mbante lidhje me shkollën. Në të gjitha punët dhe veprimtaritë shoqërore ka demonstruar figurën e gruas së emancipuar, shembull vlerësimi dhe respekti në qytet. Në çdo fshat të rrethit të Pogradecit ka dhënë ndihmesë, jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe mirëfunksionimin e organeve të pushtetit vendor, rritjen e rolit të gruas në shoqëri, emancipimin e saj. Fryma optimiste e mobilizuese për jetë më të mirë e ka vënë në ballë të përpjekjeve e sakrificave, duke mposhtur mentalitete e paragjykime frenuese. Si mësuese, nëpunëse, nënë, bashkëshorte dhe veprimtare shoqërore është përpjekur të jap modelin e vlerave pa u mposhtur nga vështirësitë.
Në bilancin e punës dhe eksperiencës së vet Elsa, shprehet:
“Në punën time pasqyrohet fryma e politikës së kohës, por spikatin dukshëm edhe cilësitë më të mira: angazhimi, entuziazmi, vetëmohimi, nderi, forca, disiplina në plotësimin e çdo detyre shtetërore dhe shoqërore. Krahas realizimit me profesionalizëm të punës, me këdo që kam punuar e kam pasur pranë krijova marrëdhënie korrekte dhe dashamirëse. Me thjeshtësi, krenari e dinjitet kam krijuar portretin tim në vite”.
Dashurinë për profesionin e bukur të mësuesit e përcolli tek vajza, Denada, aktualisht mësuese. Për vlerësimet nga institucionet dhe respektin e fituar nga njerëzit, Elsa ndihet krenare.
“Shumë nder e respekt për mua! Mbi të gjitha vlerësimet çmoj respektin e ish-nxënësve, ish-mësuesve dhe bashkëqytetarëve, që më bëjnë të mendoj se puna ime ka qenë e dobishme. Edhe pse shumë vite në pension, nuk ndihem larg shkollës e arsimit. Ndjek me vëmendje punën aktuale me ndryshimet e risitë në procesin mësimor edukativ. Vazhdoj të jap ndihmesë modeste, meqë vajza ime trashëgon profesionin e prindërve. Aktivizohem edhe në forume bashkëqeverisëse nga Bashkia për të përçuar zërin e qytetarëve. Ndonëse në pension kam jetë aktive.
Në lidhje me zhvillimet e sotme në fushën e arsimit, fokuson rolin e mësuesit, si misionar i përhapjes së dijes.
“Në këndvështrimin tim, mendoj se mësuesit sot duhet të punojnë më shumë për rritjen cilësore të procesit mësimor edukativ, koha u dikton më shumë përgjegjësi. Për të marrë respektin e nxënësve duhet të përsosin personalitetin e tyre. Mendoj se disa ndryshime në punën e shkollës, para se të bëhen gjithëpërfshirëse duhet jo vetëm të eksperimentohen, por dhe t’i nënshtrohen një diskutimi masiv me mësues e drejtues me përvojë, për të peshuar mirë vlerat edhe në aspektin psikologjik. Sa të kem jetë, do të vazhdoj të jem aktive sepse mësimi, edukimi dhe shkolla janë pasioni dhe ideali im”.
Për arritjet cilësore në punë është nderuar me stimuj moralë të kohës, medaljen “Naim Frashëri” në vitin 1975, Urdhrin “Naim Frashëri” në vitin 1980 dhe përsëri Urdhrin “Naim Frashëri” në vitin 1990. Në vitin 2011, Bashkia e nderoi me titullin “Mirënjohja e Qytetit”, ndërsa në korrik 2020 përjetoi një vlerësim të veçantë si pjesë e broshurës së botuar nga Bashkia Pogradec me mbështetjen e USAID- it, “Roli i saj në historinë e Pogradecit”. Broshura paraqet 26 jetëshkrime të shkurtra të grave të shquara në jetën e Pogradecit, e shoqëruar me certifikatë mirënjohjeje.
Elsa mbetet profesioniste e suksesshme me kontribut të madh në fushën e të drejtave të grave.
Dhe jo vetëm.
Istref Haxhillari