Eugen Skërmo, bashkëthemeluesi i “Morava”, është një nga pionierët që ka revolucionarizuar industrinë e mjaltit në Shqipëri.
Me pasionin e tij për bletët dhe natyrën, ai nisi këtë rrugëtim në vitet e vështira 90 dhe arriti të eksportojë mjaltin shqiptar në tregjet prestigjioze si SHBA, Kina dhe Arabia Saudite. Duke besuar në potencialin e mjaltit vendas, ai zhvilloi një model biznesi që shënonte rritje të vazhdueshme dhe bashkëpunim me fermerët lokalë.
Në fermën e tij ndodhen mbi 360 familje bletësh, të vendosura në një zonë ideale të Korçës, e cila kombinon malet, luginat dhe fushat, duke ofruar kushte të shkëlqyera për prodhimin e varieteteve të ndryshme të mjaltit, si mjalti i Akacias, i Pishave, dhe mjalti i bardhë i Tërfilit.
Një ndër më të vlerësuarit është mjalti i zi, i njohur për vetitë e tij kurative.
Përmes një fabrike moderne dhe teknologjive të përparuara, Morava ofron mjaltë në formë të lëngët, kristalinë dhe produkte të tjera të veçanta, si krem mjalti, të cilët eksportohet dhe janë shumë të kërkuar për cilësinë e tyre të lartë.
Kapaciteti prodhues dhe paketues i kompanisë arrin standarde të larta, duke e diferencuar Moravën në tregjet ndërkombëtare si një markë që ofron cilësi të garantuar dhe paketim bashkëkohor. Skërmo synon të rrisë eksportet në 80%, duke çuar mjaltin shqiptar në të gjitha anët e botës.
Eugen Skërmo është shembulli i një njeriu që tregon se suksesi vjen kur bashkon pasionin me vizionin. Ai dëshmon se, si bletët e tij, me punë të palodhur mund të ndërtosh diçka të qëndrueshme që lë gjurmë jo vetëm në vendin tënd, por në gjithë botën.