Familja Çeçi në fshatin Gurishtë, Njësia Administrative Pirg, ka 16 vite që merret me kultivimin e rrushit, duke arritur rendimente të larta dhe një prodhim cilësor. Zaim Çeçi, bashkë me djemtë e tij, Altinin dhe Melsin, kanë mbjellë 7 hektarë me vreshta, ku kultivojnë varietete të njohura si perla, pamid, merlot, muskat dhe tokaj. Përkushtimi dhe përvoja në kultivimin e rrushit kanë bërë që prodhimi të jetë i një cilësie të lartë.
Ferma “Çeçi” funksionon me një cikël të mbyllur prodhimi, ku rrushi i siguruar përpunohet dhe ambalazhohet në kantinën e ngritur prej tyre. Kantina “Çeçi” është një nga kantinat më të njohura në qarkun e Korçës, e pajisur me standarde bashkëkohore për prodhimin e rakisë dhe verërave të ndryshme. Produktet e kësaj kantine tregtohen jo vetëm në rajonin e Korçës, por edhe në të gjithë vendin.

Familja Çeçi synon të zgjerojë më tej aktivitetin bujqësor. Aktualisht, po punohet për marrjen me qira të tokave të tjera nga Bashkia Maliq dhe deri në fund të vitit 2025, sipërfaqja e mbjellë me vreshta pritet të arrijë në 10 hektarë. Puna për sistemimin dhe përgatitjen e tokave për mbjellje po vijon me ritme të larta.



