Këtë të dielë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në Qytezën e Fëmijëve në Korçë do të organizohet një festë e veçantë për më të vegjlit, e mbushur me aktivitete argëtuese dhe surpriza të shumta.
Aktiviteti do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 13:00 dhe synon të krijojë një atmosferë festive, ku fëmijët të ndihen të vlerësuar, të gëzuar dhe të lirë për të shprehur talentin dhe energjinë e tyre.

Të pranishmit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në lojëra sportive, këndim karaoke, kërcime, interpretime artistike, pikturim në fytyrë, si dhe të argëtohen me maskotat e tyre të preferuara. Në këtë festë nuk do të mungojnë as momentet e papritura dhe dhuratat surprizë që do ta bëjnë edhe më të veçantë këtë ditë për fëmijët.
Aktiviteti organizohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me Bashkinë Korçë, Qendrën Sportive Korçë dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Mihal Grameno”. Ftohen të gjithë prindërit dhe fëmijët të bëhen pjesë e kësaj feste të madhe, për të festuar së bashku një ditë të mbushur me gëzim, dashuri dhe kujtime të bukura.


