Edhe këtë vit, siç është bërë tashmë traditë, fshati Dvoran pret miq dhe vizitorë në Festen e Mollës, një aktivitet që bashkon traditën, argëtimin dhe mikpritjen karakteristike të zonës.
Eventi do të zhvillohet më 4 tetor, në Fushën Sportive të Dvoranit, duke nisur nga ora 19:00. Atmosfera do të gjallërohet me muzikë live, lojëra për fëmijë, panairin e mollëve dhe një sërë surprizash të tjera që do ta bëjnë mbrëmjen të paharrueshme.
Për vizitorët që vijnë nga Korça, është vënë në dispozicion edhe transport falas, me nisje nga shkolla “Themistokli Gërmenji” në orën 18:30.
Festa e Mollës është kthyer në një ndër ngjarjet më të veçanta të vjeshtës në Korçë, duke promovuar traditën bujqësore të zonës dhe duke sjellë bashkë komunitetin në një mbrëmje plot gëzim, shije dhe muzikë.


