Në fshatin Hoçisht të bashkisë Devoll, është kremtuar sot festa e dy Anargjendëve, Shën Kozmait dhe Shën Damianit, të njohur si mjekët mrekullibërës që shërbenin pa shpërblim. Qindra besimtarë nga zona dhe qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur në Kishën e Satrivaçit, një vend i shenjtë që, sipas besimit popullor, mban fuqi çudibërëse.
Meshën e shenjtë dhe liturgjinë hyjnore e udhëhoqi At Viktor Konomi, i cili uroi për shëndet, begati dhe paqe për të gjithë besimtarët. Në këtë ditë të shenjtë, pelegrinët ndezën qirinj dhe lutjet e tyre ishin të drejtuara kryesisht për shërim shpirtëror dhe mbarësi familjare.
Festa e dy shenjtorëve kremtohet çdo vit më 1 korrik dhe më 1 nëntor, duke mbajtur gjallë një traditë të lashtë të komunitetit ortodoks në juglindje të vendit. Kisha e Satrivaçit vazhdon të mbetet një pikë referimi shpirtërore për shumë besimtarë, që besojnë në ndërmjetësimin e Shën Kozmait dhe Shën Damianit si mbrojtës të shëndetit dhe jetës njerëzore.


