Këtë fundjavë, në zemër të maleve të Korçës, Vithkuqi u mbush me ngjyra, këngë e aromë vjeshte gjatë aktivitetit “Festa e Vjeshtës”, një ngjarje që synon të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë kulturore e kulinare të zonës.
Në qendër të fshatit, banorë dhe vizitorë shijuan një ditë plot gjallëri me muzikë e valle tradicionale, ekspozita artizanale dhe gatime vendase, të cilat u shoqëruan me një drekë të përbashkët në frymën e mikpritjes vithkuqare.
Aktiviteti, i organizuar nga Njësia Administrative Vithkuq në bashkëpunim me Pleqësinë e Fshatit dhe bizneset lokale, solli edhe shëtitje në natyrën e mrekullueshme të zonës, duke dëshmuar se tradita dhe mikpritja janë ende gjallë në këtë vend me histori dhe shpirt të rrallë.


