Korça ka mirëpritur Ditën e Verës me një atmosferë festive, duke ruajtur traditat e lashta të kësaj feste pagane që simbolizon ardhjen e pranverës.
Në mbrëmje, në disa zona të qytetit, u ndezën zjarret rituale, të cilat sipas besimeve popullore sjellin fat dhe begati për vitin që vjen. Një vend të veçantë në këtë festë zënë edhe gatimet tradicionale, ku nuk munguan kulaçi, vezët e kuqe dhe ëmbëlsirat e veçanta, të cilat janë pjesë e pandashme e kësaj dite.
Veroret, byzylykët shumëngjyrësh të endur me fije të kuqe dhe të bardha, u lidhën në duart e fëmijëve si një simbol i diellit dhe ardhjes së stinës së ngrohtë.
Të gjithë festuan duke u mbledhur rreth zjarreve, duke e kthyer këtë ditë në një moment të veçantë për të pritur së bashku pranverën. Organizime të tilla shërbejnë jo vetëm për të sjellë komunitetin më afër, por edhe për të përcjellë këtë traditë brez pas brezi.


