Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Drinks”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, me qëllim goditjen e një rasti kontrabande me pije alkoolike të futur në mënyrë të paligjshme nga Greqia.
Gjatë operacionit, në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, u ndalua një automjet i drejtuar nga shtetasi A. Ll., 53 vjeç, banues në Korçë. Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë zbuluan në mjet një sasi pijesh alkoolike që dyshohet se janë futur në territorin shqiptar pa iu nënshtruar procedurave të zhdoganimit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, A. Ll. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.
Në vijim të hetimeve, janë proceduar penalisht tre punonjës të Degës Doganore të Kapshticës: K. P., 45 vjeç, A. G., 61 vjeç dhe R. M., 40 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos kryer veprimet e duhura ligjore për zhdoganimin e mallrave.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan automjeti dhe pijet alkoolike të kontrabanduara, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe u bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112 ose në Komisariatin Digjital.


