“Kam 20 vjet këtu. S’kam parë një ditë të bardhë e kjo ishte më e errëta”.
Me një fytyrë të trishtuar, këto fjalë m’i tha sot një punonjës karriere në Gardën e Republikës me të cilin jam përplasur jo pak.
“Shyqyr që nuk u lëndove”-i thashë.
“Shyqyr më thuaj në fund, por nuk na dhanë masë disiplinore. Se aty marrim fund. Unë familja, fëmijët dhe kreditë tona”.
U largua i dëshpëruar duke inkurajuar një gardist më të ri.
“Po ishim shumë mirë, s’e morëm vesh nga erdhën”,-më tha një tjetër, të cilin gjatë përplasjes së deputetëve me FNSH-në e pashë teksa kujdesej për deputetët për t’i kaluar në zonë të sigurt.
“Qërohu që tani”,-i tha Ermal Onuzi, numri 1 i Gardës dikujt që fillestar në skuadër, nuk e kish vlerësuar mirë situatën, dhe i kish hapur derën Forcave Speciale të Policisë, pa i sqaruar që oborri nuk ishte bosh e aty kish deputetë.
Nuk është e qartë se kush e thirri skuadrën e policisë, dikush i lë fajin një naiviteti të një punonjësi të ri garde, dikush tjetër mendon se erdhën me urdhër nga jashtë.
I shkruaj këto, sepse pashë policë të dhunoheshin (edhe pse mes tyre nuk mungonin arrogantët), dhe gardistë të frikësuar.
Kam frikë se në fund fare, ata që i shërbejnë vendit gjenden sanduiç, mes atyre në pushtet që sipas radhës i përdor kundër atyre në opozitës, dhe pakicës që i dhunon e poshtëron duke i parë si shërbëtorë të qeverisë.
Unë dëshmoj përditë veprime tepër arbitrare të Gardës, sikundërse pashë edhe ndërhyrjen krejt të panevojshme për të mos thënë provokues të Policisë.
Ama sot, po përpiqem t’i shoh ata si njerëz, që pas orarit do të shkojnë të marrin fëmijët në çerdhe, si unë, dhe do tu tregojnë çfarë ditë pune kishin.
Esiona Konomi