Për shkak të situatës së rënduar nga vatrat e zjarrit në bashkinë e Gramshit, ku është kërkuar edhe evakuimi i banorëve të disa fshatrave, në terren janë angazhuar forca shtesë nga qarku i Korçës.
Dy mjete zjarrfikëse dhe tetë efektivë nga shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit të bashkive Pogradec dhe Maliq janë nisur drejt zonës së prekur, për të mbështetur operacionet e fikjes së flakëve.
Ky nuk është rasti i parë që shërbimet zjarrfikëse të bashkive të juglindjes i përgjigjen thirrjes për ndihmë ndaj bashkive të tjera, në situata emergjente të ngjashme. Të dy mjetet e dërguara janë të pajisura për të operuar në terrene të vështira malore, duke rritur efikasitetin e ndërhyrjes.


