Në Bashkinë Pustec u zhvillua Takimi i Parë i Forumit të Prespës (Prespa People’s Forum), një nismë e re rajonale që synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërkufitar mes komuniteteve të zonës së Prespës së Madhe.
Mikpritës i këtij forumi ishte Kryetari i Bashkisë Pustec, z. Pali Kolefski, ndërsa të pranishëm ishin Kryetari i Bashkisë Prespë (Greqi), z. Georgios Stergiou, dhe Kryetari i Bashkisë Resen (Maqedoni e Veriut), z. Jovan Tozievski. Në takim morën pjesë gjithashtu aktorë rajonalë, përfaqësues bashkish, organizata të shoqërisë civile dhe prodhues vendas.
Ky forum hap rrugën për një model të ri bashkëpunimi mes tre bashkive të Prespës së Madhe, duke synuar nxitjen e dialogut dhe pjesëmarrjes qytetare, zhvillimin e iniciativave të përbashkëta dhe rritjen e mirëqenies komunitare dhe promovimin e potencialeve lokale.
Takimi shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërkufitare dhe perspektivave të reja për zhvillimin e zonës.


