Më 9 qershor 2024, Drejtoria e Arkivave të Shqipërisë ka marrë një letërnjoftim të Sevasti Qiriazi-Dakos, dhuruar nga z. Petro Luarasi. Gjatë ceremonisë së dhurimit[1], letërnjoftimi u paraqit si zbulim i madh, i cili përmban të dhëna që duhen respektuar nga çdo studiues dhe institucion, me peshë juridike, duke krijuar përshtypjen që ky dokument duhet të përjashtohet nga analizat kritike dhe vlerësimi shkencor. Megjithatë, vetëm një detaj u theksua, ai i përkatësisë fetare të Sevastisë, e cila në letërnjoftim del “orthodokës”, sipas fesë së saj të lindjes, e jo protestante, sipas besimit që ajo përqafoi në rininë e saj bashkë me Gjerasimin, Gjergjin dhe Parashqevinë. Folësit përmendën elementin fetar më shumë se dhjetë herë, brenda pak minutash. Në ditët e mëvonshme, disa faqe nga letërnjoftimi u nxorën në publik, në Facebook, nga drejtori i AQSH-së, dr. Ardit Bido, dhe nga z. P. Luarasi, duke theksuar përsëri elementin fetar dhe duke u ankuar për “abuzime të bëra ndër vite me fenë e disa prej Qiriazëve, për qëllime politike” (nuk u sqarua se cilat janë ato ashtuquajturat abuzime).