Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Korçë është pajisur me një autoambulancë të re, duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetet për ofrimin e ndihmës mjekësore dhe reagimin në raste emergjente.
Ambulanca moderne, e vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, do të shërbejë për garantimin e një shërbimi shëndetësor më të sigurt dhe më efikas për personat e dënuar dhe stafin e institucionit.
Ky zhvillim vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të modernizuar sistemin penitenciar dhe për të përmbushur standardet e nevojshme në fushën e kujdesit shëndetësor.
IEVP Korçë falënderon Ministrin e Drejtësisë, z. Ulsi Manja, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, z. Klevis Qose, për mbështetjen institucionale që bëri të mundur këtë investim.
Autoambulanca e re pritet të rrisë sigurinë, të shkurtojë kohën e reagimit në situata të ndërlikuara shëndetësore dhe të kontribuojë në humanizimin e mëtejshëm të kushteve të vuajtjes së dënimit.


