Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar çel ekspozitën “Ikonografia e Kishës Fjetja e Shën Marisë Lubonjë”
Në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë u hap ekspozita “Ikonografia e Kishës Fjetja e Shën Marisë Lubonjë,” një bashkëpunim mes muzeut dhe Universitetit Politeknik të Tiranës.
Arkeologu Neritan Ceka vlerësoi punën shumëvjeçare të identifikimit dhe restaurimit të ikonave. “Ekspozita përfaqëson disa prej ikonave më të rëndësishme, të përzgjedhura sipas vlerave artistike dhe kronologjike,” u shpreh ai.
Profesor Edmond Hoxha, pjesë e ekipit, vuri në dukje pasurinë arkeologjike dhe ikonografike të zonës së Lubonjës, duke e cilësuar atë si një thesar ende të pazbuluar.
Sipas drejtoreshës së muzeut, Fjoralba Prifti, ikonat e ekspozuara prezantohen për herë të parë. Ajo nënvizoi rëndësinë e këtyre veprave si pjesë e historisë dhe identitetit të fshatit Lubonjë.
Ekspozita, tashmë e hapur për publikun, ofron një udhëtim të pasur në thesaret ikonografike të Shqipërisë mesjetare dhe shërben si një ftesë për të vlerësuar punën e konservimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.