Kandidati për President i Ekuadorit, Fernando Villavicencio, i cili u qëllua për vdekje gjatë fushatës elektorale të mërkurën, njihej si një aktivist i palodhur kundër korrupsionit dhe gazetarisë investigative.
Ligjvënës në Asamblenë Kombëtare, ai kishte folur hapur për korrupsionin dhe dhunën e shkaktuar nga trafiku i drogës në vend.Në një intervistë të dhënë për CNN në maj ai deklaronte se Ekuadori ishte bërë një “narkoshtet” dhe premtonte se do të drejtonte një luftë kundër asaj që e cilësonte si “mafia politike”.
Këto deklarata, puna e tij e mëparshme si gazetar investigativ dhe premtimet politike kundër korrupsionit, e bënë atë që të kishte shumë armiq të fuqishëm. Villavicencio ka deklaruar dhe më herët se ai kishte marrë kërcënime me vdekje nga grupet kriminale që operojnë në vend.
Themeli i fushatës së tij elektorale ishte goditja e krimit dhe korrupsionit mes një përshkallëzimi vdekjeprurës të dhunës që ka kapluar Ekuadorin vitet e fundit.Vendi i Andeve, një komb relativisht paqësor deri pak vite më parë, tani është i rrënuar nga një luftë në terren midis organizatave kriminale rivale.
Dhuna ka qenë më e theksuar në brigjet e Paqësorit, ku grupet kriminale po luftojnë për të kontrolluar trafikun e kokainës.
“Sot Ekuadori kontrollohet nga Jalisco Nueva Generación, karteli Sinaloa, grupe kriminale nga Meksika, si dhe mafia shqiptare”, tha Villavicencio në një intervistë me CNN en Español në maj.
Megjithatë, Villavicencio ka qenë prej kohësh i njohur për përpjekjet e tij kundër korrupsionit. Në moshën 18-vjeçare ai hapi një gazetë të quajtur Prensa Obrera (Shtypi i Punëtorëve), dhe vazhdoi të punojë për kompaninë shtetërore të naftës EP Petroecuador.
Më vonë, ai do të zbulonte skandale korrupsioni në industrinë e lulëzuar të naftës në vend dhe nxiti një hetim për një incident në të cilin ushtria vrau të paktën pesë persona. Presidenti Correa ngriti një padi për shpifje kundër Villavicencio, dhe ai u dënua më vonë me 18 muaj burg nga gjykata.
Vrasja e tij ndodhi të mërkurën teksa ai po largohej nga një tubim elektoral që kishte mbajtur në qytetin verior të Kuito.