Pasi përfundoi numërimi i të gjitha kutive të votimit për subjektet politike dhe për preferencat e kandidatëve në listat e hapura në qarkun e Korçës, rezultati konfirmon një fitore të thellë të Partisë Socialiste. PS ka fituar në të gjashtë bashkitë e qarkut, duke lënë pas Partinë Demokratike dhe koalicionin e saj me një diferencë të konsiderueshme.
Sipas të dhënave zyrtare, Partia Socialiste ka marrë 60,049 vota, përballë 37,713 votave të koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike. Për rrjedhojë, PS ka siguruar 6 mandate, ndërkohë që PD ka marrë 4 mandate – por ky raport pritet të ndryshojë.
Në pritje të votave nga diaspora, të cilat janë ende në proces numërimi (deri tani janë numëruar rreth një e treta e fletëve), PS rezulton me një avantazh të thellë edhe jashtë vendit, duke kaluar 56% të votave, ndërsa PD mbetet nën 25%. Nëse ky trend vazhdon, PS është në prag të sigurimit të mandatit të 7-të në Korçë, duke thelluar më tej fitoren në këtë qark.
Sa i përket listës së hapur, renditja e kandidatëve më të votuar të Partisë Socialiste duket tashme e strukturuar dhe sipas projeksionit përbëjnë përfaqësuesit e ardhshëm të Korçës në Kuvend, është si më poshtë:
- Ilirjan Pendavinji – 10,133 vota
- Bledi Çomo – 9,478 vota
- Besa Spaho – 6,691 vota
- Arian Jaupllari – 7,430 vota (në pritje të mandatit të 7)
Nga ana tjetër, në radhët e Partisë Demokratike, kandidati më i votuar është Fidel Kreka, me 6,523 vota preferenciale, i cili ka lënë pas disa deputetë aktualë të kësaj force politike. Megjithatë, pozicioni i tij është i rrezikuar, pasi mbetet për t’u parë nëse PD do të ruajë 4 mandate apo do t’i humbasë një prej tyre përballë Partisë Socialiste.
Zhvillimet në vijim nga numërimi i votave të diasporës pritet të jenë vendimtare për mandatin e fundit në këtë qark.


