Këngëtarja korçare Jorgjeta Lalazi dhuroi një mbrëmje të mbushur me ndjenja dhe tinguj serenatash në koncertin e saj recital, të mbajtur mbrëmjen e djeshme në Teatrin “Andon Zako Çajupi”. Me një karrierë që shtrihet për afro 40 vjet dhe një repertor të pasur me këngë të dashura nga publiku, Lalazi u prit me duartrokitje të gjata dhe një sallë të mbushur plot.
Gjatë fjalës së saj, këngëtarja u shpreh e emocionuar nga ngrohtësia dhe vlerësimi i publikut, duke theksuar se kjo është motivimi më i madh për të vijuar rrugëtimin e saj artistik.
“Është e mrekullueshme të ndjesh dashurinë e publikut, dhe Korça gjithmonë di ta çmojë muzikën e zemrës”, tha Lalazi, duke premtuar se në të ardhmen do të ketë edhe koncerte të tjera.
Koncerti solli një udhëtim muzikor përmes serenatave tradicionale korçare, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe nostalgjike, ku publiku u bë pjesë aktive e çdo interpretimi. Organizatorët ftojnë artdashësit të vazhdojnë të shijojnë performanca muzikore që lidhen ngushtë me traditën e serenatës korçare, në mbrëmje që mbeten gjatë në kujtesë.


