Ka gati më shume se 2 javë që nëpër rrjet dhe emisione po diskutohet dhe debatohet se në cilin qytet të Shqipërisë festohet më bukur në këto ditë festash.
E para , kjo temë është shumë pozitive në thelb sepse qytetet në Shqipëri pas pandemisë por edhe krizës së çmimeve po shfaqin optimizëm.
E dyta, tregon se harta e qyteteve për t’u vizituar dhe argëtuar po shtohet nga viti në vit dhe kjo konkurencë mes qyteteve u bën mirë qyteteve sepse ngacmon nervin për të bërë më shumë vit pas viti .
E treta, që ësh edhe më e rendësishmja është se etaloni matës i këtij zhvillimi për qytetet si Shkodra, Berati, Gjirokastra dhe tjera, është krahasimi me Korçën.
Kjo nuk duhet harruar dhe duhet përmendur gjithmonë edhe pse shumë syrresh nuk e thonë, ose “e harrojnë” ta thonë nëpër shkrime, postime artikujsh apo daljet nëpër tv.
Në vitin 2002, Korça ishte i pari dhe i vetmi qytet në Shqipëri që i siguronte banorëve të saj ujin e pijshëm 24 orë në një kohë që sot ka akoma qytete në Shqipëri që u shkon uji (jo) i pijshëm me orar. Ashtu si uji edhe menaxhimi i mbetjeve, ruajtja e qytetit të vjer, krijimi i saiteve turistike të reja në ansamble historike.
Korça ishte i pari qytet në vend, duke përjashtuar Tiranën ( si kryeqytet) dhe Durrësin, Vlorën, Sarandën ( qytete me det ) që për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë së saj lokale dhe turizmit, i pa eventet dhe festat si një faktor shumë të rëndësishëm dhe zhvilloi një turizëm ku sot quhet pa më të voglin dyshim si kryqytet i turizmit dimëror dhe fundjavor në vend.
Pra, ajo çka dua të them është se në Korçe çdo gjë rrodhi natyrshëm, e pa stisur. Johan Krojf thoshte : “Të luash futboll është e thjeshtë, por të luash futboll të thjeshtë, kjo është gjëja më e vështirë”.
A është mjaftueshëm?
Jo, fare. Korça duhet të shkojë në një nivel tjetër, nuk mundet kurrësesi të frikësohet nga zhurma dhe zhvillimi i një metropoli ekonomik si Tirana, nuk mund të zhbëjë nervin zhvillues të një qyteti si Korça sidomos në këtë kohë ku teknologjia dhe inteligjenca artificiale po krijojnë hapësira zhvilluese qoftë për fshatin më të thellë.
Thjesht duhet të jemi gjithmonë bashkë për të luajtur futboll të thjeshtë!