Policia Kufitare e Korçës ka goditur një rast të kontrabandës në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri.
Në kuadër të kontrolleve të shtuara për parandalimin e paligjshmërisë në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare kaluan në vijë të dytë për kontroll të detajuar një automjet tip furgon me drejtues shtetasin D. Ç., 37 vjeç, banues në Papër, Elbasan, si dhe një autobus me drejtues A. K., 58 vjeç, banues në Drenovë, Korçë.
Në automjetin e shtetasit D. Ç., u gjetën të fshehura produkte ushqimore dhe produkte medicinale për bimët, të futura kontrabandë pa deklarim në doganë.
Në autobusin e drejtuar nga A. K., u zbuluan, të fshehura në pjesën e brendshme të derës, ikona kulti, medikamente, 2 aparate celularë dhe pajisje për automjete, gjithashtu të padeklaruara.
Të dy drejtuesit u arrestuan në flagrancë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë.
D. Ç. akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra të licencuar” dhe “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
A. K. akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Mallrat e kontrabanduara dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Po ashtu, u proceduan penalisht për “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” shtetasit E. Z., 30 vjeç, banues në Korçë, R. Ç., 35 vjeç, banues në Pogradec, dhe G. B., 35 vjeç, banues në Elbasan.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme.


