Sezoni artistik në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë u hap me koncertin e veçantë “Këngët në qiellin e lirisë dhe dashurisë,” nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh, Josif Minga. Ky koncert, një homazh për trashëgiminë muzikore korçare, ofroi një rrugëtim mes këngëve patriotike dhe serenatave të famshme, të përpunuara mjeshtërisht në forma korale dhe solistike.
Repertori i pasur përfshinte këngë të njohura patriotike, qytetare dhe serenata korçare, duke sjellë emocione të veçanta për publikun. Për këngëtarët e njohur Tomi Kondakçi dhe Gloria Nure, koncerti ishte një përvojë unike, ashtu si edhe për artdashësit që mbushën sallën.
Drejtoresha e Qendrës së Kulturës, Zamira Kita, e cilësoi këtë koncert si një ngjarje të veçantë, duke theksuar se gjatë muajit të fundit janë dhënë shumë aktivitete artistike, por ky i Josif Mingës ishte unik.
“Qëllimi i këtij koncerti ishte të risjellim për publikun këngët e vjetra korçare, që nuk janë dëgjuar prej vitesh,” u shpreh Josif Minga.
Për herë të parë në këtë koncert performoi një grup koral, që u prit me entuziazëm nga publiku korçar, duke e bërë këtë ngjarje artistike edhe më të paharrueshme.