UNIVERSITETI I KORÇËS: NJE HAP PARA DY HAPA PAS
Programi Filozofi- Sociologji ishte një prej programeve të Universitetit të Korçës që u mbyll,pasi për këtë vit akademik nuk u rregjistrua asnjë maturant.
Pra,logjika na çon tek argumenti që interesi i maturantëve dhe kërkesat e tregut janë ato që diktojnë hapjen,riorganizimin apo mbylljen e programeve të studimit.
Megjithatë, rregullat nuk i kanë penguar autoritetet vendimarrëse të Universitetit të Korçës që në vitet paraardhës të mbanin hapur Filozofinë edhe pse nuk ka pasur më shumë se 5 studentë.
Arsyet janë të qarta dhe të ezauruara tashmë:
Universiteti është kthyer në ndërmarrje,që ka prioritet rrogën e pedagogëve dhe vetëm këtë.
Në vazhdim të kësaj mendësie të pakorrigjueshme vjen edhe vendimi i Senatit Akademik të Universitetit të Korçës,i datës 1 nëntor,për të riorganizuar programin e Filozofisë në programin Shkenca Politike.
Kam disa pyetje për këtë vendim,që qartazi u vjen ndesh përpjekjeve serioze të aktorëve politikë,akademikë dhe jo vetëm për profilizimin dhe ndërkombëtarizimin e Universitetit të Korçës:
A ka nevojë tregu lokal apo kombëtar për të diplomuar në shkenca politike?
A ka indikatorë që tregojnë shkallën e interesit të maturantëve të qarkut të Korçës për këtë program?
A është kjo ofertë akademike kompetitive në raport me programe të njëjtë apo të ngjashëm të universiteteve të tjerë?
Sa do kushtojë mbajtja hapur e këtij programi,ku nuk besoj se mund të rregjistrohen më shumë se 2 apo 3 studentë?
Fjala e fundit për hapjen ose jo të programit Shkenca Politike do jetë e Ministrisë së Arsimit,por këmbëngulja,për të hapur programe me të cilat mbahen në punë një grusht pedagogësh,tregon se estabilishmenti i universiteteve po vazhdon rezistencën kundër çdo reforme që këput fije dhe nyje interesash nga banalet tek të fortat.
P.S. Çdo ditë do mëkoj shpresën,që deri në fund të mandatit të hapni edhe programin Histori Partie.
Shkruar nga Daniela Zisi, gazetare e TV KLAN