Në kuadër të 20 Marsit, Ditës së Frankofonisë, Aleanca Franceze e Korçës dhe Departamenti i Gjuhëve të Huaja në UNIKO organizuan konkursin tradicional në ese “Plume d’Or”. Ky aktivitet, tashmë i kthyer në një traditë, mblodhi nxënës dhe studentë të gjuhës frënge në ambientet e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.
Konkursi synon të inkurajojë mësimin e gjuhës frënge, të forcojë besimin e pjesëmarrësve dhe të zhvillojë aftësitë e tyre komunikuese. Testi u përshtat sipas niveleve të ndryshme të kandidatëve dhe përfshinte njohuri gjuhësore, pyetje mbi kulturën frankofone dhe mundësinë për t’u shprehur në mënyrë krijuese me shkrim.
Ky konkurs zhvillohet njëkohësisht në 110 aleanca franceze në mbarë botën, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për të dëshmuar aftësitë në frëngjisht në një mjedis sfidues dhe motivues. Pjesëmarrësit patën mundësinë të pasurojnë njohuritë e tyre dhe të krijojnë një lidhje më të fortë me gjuhën dhe kulturën franceze.