Në qytetin e Korçës u çel zyrtarisht fushata ndërgjegjësuese “STOP dhunës ndaj gruas”, e cila do të vijojë për 16 ditë me aktivitete të ndryshme sensibilizuese, si në qytet ashtu edhe në zonat rurale të bashkisë. Qëllimi i kësaj nisme është rritja e ndërgjegjësimit publik, nxitja e raportimit të rasteve të dhunës dhe promovimi i një shoqërie më të drejtë dhe më të sigurt për gratë dhe vajzat.
Prej më shumë se një dekade, Bashkia Korçë ka institucionalizuar shërbimin për parandalimin, denoncimin dhe minimizimin e dhunës në familje, duke krijuar mekanizma të qëndrueshëm mbështetës për viktimat dhe duke bashkëpunuar me strukturat përkatëse. Falë kësaj pune të vazhdueshme, Korça konsiderohet një ndër bashkitë model në nivel kombëtar për arritjet në trajtimin e këtij fenomeni shoqëror.
Fushata e këtij viti synon jo vetëm ndërgjegjësimin, por edhe përfshirjen aktive të komunitetit, institucioneve dhe organizatave të shoqërisë civile në luftën kundër dhunës me bazë gjinore.


