Nëse ka një gjë për të cilën emri i Korçës është shkruajtur me të arta në historinë e vendit tonë, është hapja e Mësenjtores së Parë Shqipe. Ishte 7 Marsi i 1887. Tashmë në 2023, pas një shekulli e 3 dekadash, ka një tjetër mundësi për të hyrë në histori, si qyteti pa universitet. Sigurisht godina do të ekzsitojë në formën e vet dhe fatmirësisht duke ruajtur emrin “Fan S. Noli”, por kurrë e njëjtë, e redektuar dhe e varur nga Universiteti i Tiranës.
Drita jeshile për nisjen e proçedurës drejt “shkrirjes” është dhënë nga Senati, ndërsa rektori i Universitetit, Dhimitri Bello tha se vendimi nuk ka ardhur për mungesë financash, por në kuadër të politikave që bëhen në komisionin e orientimit të politikave të arsimit të lartë, duke synuar një fuqizim nëpërmjet intergrimit në institucione më të mëdha. Sipas tij, ky vendim i cili pritet të finalizohet më e pakta brenda një viti, do të dyfishojë numrin e studentëve dhe do të sjellë programe të reja. Pas hartimit të një strategjie afatgjatë, ajo kalon në Rektoratin dhe Bordet e Universitetit të Tiranës, e më tej në vjeshtë në Ministri e Këshillin e Ministrave, ku do të vendoset fati i universitetit.
Edhe pse sipas rektorit, votimi në Senat ishte unanim, në fakt të shumta kanë qenë reagimet që e kundërshtojnë këtë vendim, mes të cilëve ish-pedagogë, ish-studentë, e qytetarë të ndryshëm të Korçës. I pari që reagoi, ishte Ministri Niko Peleshi. Nga e pozita e një qytetari, ai kërkoi edhe një përpjekje për ta reformuar, e për të marrë disa nisma të reja, që do të mundësojnë mbajtjen studentëve dhe ofrimin e një edukimi sa më cilësor e që përmbush nevojat e shoqërisë.
“Arsimi është një shërbim publik dhe si i tillë nuk mund të lihet në dorën e tregut”, është shprehur Peleshi, ndërsa Bello iu kundërpërgjigj në distancë se “shkrirja” është një përpjekje për të luftuar mbylljen.
Në fakt ardhja e Universitetit “Fan S. Noli” në këtë ditë, ishte një kronikë e paralajmëruar. Prej vitesh kishte filluar rënia e numrit të studentëve dhe mbyllja e programve, por mesa duket askush nuk e kishte vënë “ujin në zjarr” për të gjetur politika e zgjidhje të reja që luftonin problemin e largimit, braktisjes e më tej mbylljes. Sot me një vendim të papritur, të hedhur si rrufeja në një qiell pa re, ra edhe lajmi i “shkrirjes” së universitetit, që për mbi të gjitha është një ‘besëshkelje’ mbi ata rilindas e arsimtar që ngritën emrin e këtij qyteti. Duket si ironi fati, që Korça e shquar dhe e spikatur për arsimin, tashmë është e para që braktis përpjekjet për të mbajtur ndezur ‘zjarrin në vatër’.
Fillimet e arsimit të lartë në Korçë datojnë që prej vitit 1968, me hapjen e Institutit Pedagogjik 2-vjeçar, fillimisht me dy degë dhe më vonë me 4. Më 15 qershor 1971, me vendim të Këshillit të Ministrave, u hap Instituti i Lartë Bujqësor i Korçës, i cili u fuqizua me kalimin e kohës dhe më 7 janar 1992, mbi bazën e tij, u hap Universiteti i Korçës, me tre fakultete: i Bujqësisë, i Mësuesisë dhe i Ekonomikut. Në vitin 1994 iu dha emri “Fan S. Noli” dhe iu shtua Shkolla e Lartë e Infermierisë. Aktualisht ka 4 fakultete dhe studiojnë 3000 studentë. E ardhmja për të mbetet e panjohur!


