Drejtoria Vendore e Policisë Korçë bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa ngjarje dhe veprime procedurale në territorin e qarkut.
Shërbimet e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin D. Xh., 33 vjeç, banues në Selcë e Poshtme, Pogradec, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Në aksin “Qafë Plloçë–Qukës”, pranë fshatit Vërri, automjeti që ai drejtonte u përplas me një mjet tjetër, duke shkaktuar dëmtimin e dy pasagjereve, të cilat ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për shtetasin K. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se humbi kontrollin e automjetit në afërsi të fshatit Rëmbec, Maliq, duke dalë nga rruga dhe duke shkaktuar dëmtimin e dy pasagjerëve, mes tyre një i mitur.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” ndaj shtetasve J. Gj. dhe S. Ll., pas transmetimit të pamjeve filmike në një emision investigativ, ku dyshohet për përpilim të paligjshëm të akteve noteriale.
Nga Komisariati i Policisë Korçë u referuan materialet për një rast vjedhjeje bagëtish, ku një 17-vjeçar dyshohet se ka vjedhur një bagëti të imët dhe më pas e ka shitur, si dhe për një tjetër rast dhune psikologjike në familje, ku një 22-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gjyshit të tij.
Ndërkohë, në Pogradec, në fshatin Memëlisht, një 17-vjeçar dyshohet se ka konsumuar një sasi të vogël detergjenti në banesë. I mituri u transportua në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të gjitha materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.


