Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka zhvilluar një sërë veprimesh policore në kuadër të forcimit të rendit dhe sigurisë publike, duke arrestuar dhe proceduar penalisht disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e qarkullimit rrugor, specialistët e Sektorit përkatës arrestuan në flagrancë shtetasit: F. Zh., 61 vjeç, banues në Itali; E. T., 35 vjeç, banues në Korçë; pasi u kapën duke drejtuar automjetet e tyre në gjendje të dehur.
Në luftën kundër narkotikëve, specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit: H. M., 19 vjeç, G. K., 34 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik ndaj tyre u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Nga Komisariati i Policisë Korçë, u referuan materialet për shtetasin G. K., 32 vjeç, banues në fshatin Zëmblak, i cili dyshohet se ka cënuar vendimin e Gjykatës të caktuar ndaj bashkëshortes së tij.
Ndërkohë, specialistët e Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë referuan materialet për shtetasit: R. A., 43 vjeç, banues në Tiranë, dhe K. A., 61 vjeç, banues në Bilisht, pasi dyshohet se dispononin leje qarkullimi të falsifikuar për trajlerët që tërhiqeshin nga kamionët që ata drejtonin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia e Korçës apelon për respektim të ligjit dhe vijon kontrollet intensive në të gjitha drejtimet për parandalimin e paligjshmërive.


