Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar disa raste të shkeljeve ligjore, për të cilat janë kryer arrestime, ndalime dhe procedime penale.
Në Korçë, specialistët e Sektorit të Narkotikëve arrestuan në flagrancë shtetasin E. R., 41 vjeç, pasi dyshohet se një ditë më parë i ka vjedhur varësen e floririt një 82-vjeçareje, në lagjen nr.12 të qytetit. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia i gjeti një sasi kokaine dhe një përforcues grushti, të cilat u sekuestruan si prova materiale.
Po në qarkun Korçë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec ndaluan shtetasin A. S., 39 vjeç, banues në fshatin Osnat, i dënuar më parë nga Gjykata me 2 muaj burgim për veprën penale të “Vjedhjes”.
Ndërkohë, oficeri i Policisë Gjyqësore arrestoi në flagrancë shtetasin K. D., 27 vjeç, banues në Korçë, pasi nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë Rrugore për të ndaluar automjetin, në aksin “Qafë Plloçë-Qukës”.
Nga Komisariati i Policisë Maliq u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi O. A., 34 vjeç, pasi dyshohet se ka goditur me sende të forta një 59-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Gjithashtu, në Komisariatin e Policisë Pogradec është paraqitur një kallëzim nga shtetasja D. M., 53 vjeçe, e cila ka denoncuar largimin nga banesa të djalit të saj 15-vjeçar, më datë 17 shtator. Policia po punon për gjetjen e tij.
Në Maliq, më datë 18 shtator, shtetasi M. C., 59 vjeç, dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kali dhe është dëmtuar. Ai mori mjekim dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Materialet për rastet e evidentuara u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


