Dalin në dritë dëshmi të reja lidhur me rastin e 14-vjeçares që u hodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte, e cila aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Korçës.
Nëna e vajzës ka treguar jashtë kamerave se familja e saj po përballet me vështirësi të shumta. “Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha nga Barmashi i Kolonjës dhe banoj në lagjen 14. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet,” – është shprehur ajo.
Sipas rrëfimit të saj, para dy ditësh një vajzë e ka goditur të bijën në kurriz, ndërsa sot konflikti është përsëritur. “Më goditi dhe mua në stomak dhe më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin ‘mamin ta morën në polici, jeni fshatarë’. Merrni masa se nuk më lenë rehat,” – ka shtuar e ëma.
Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e zonës, ndërsa policia dhe shërbimet sociale po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe për të marrë masa në mbrojtje të fëmijëve.


