Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar në Prokurori një sërë rastesh të procedimeve penale të ndodhura gjatë 24 orëve të fundit.
Në fshatin Kuç, 27-vjeçari M. B. është proceduar penalisht pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis. Në Bilisht, shtetasi Gj. L., 52 vjeç, u procedua pasi aksidentoi lehtë një këmbësore dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Po në këtë qark, 24-vjeçarja V. K. nga Maliqi u kallëzua për kanosje ndaj xhaxhait dhe dëmtim të pronës së tij.
Në Pogradec, policia procedoi shtetasin O. S., 32 vjeç, pasi u kap duke transportuar 25 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme, ndërsa dy 17-vjeçarë u kallëzuan për konflikt fizik me një 16-vjeçar.
Në Maliq, janë proceduar tre persona, përfshirë një 15-vjeçar që ka goditur një 6-vjeçar, si dhe dy të rritur për dhunë fizike ndaj familjarëve dhe bashkëqytetarëve.
Ndërkohë, në Bilisht, dy shtetas, 70 dhe 54 vjeç, u kapën duke qëlluar me armë gjahu, në shkelje të moratoriumit të gjuetisë. Armët dhe municionet e tyre u sekuestruan nga policia.
Të gjitha materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.


