Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka reaguar pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku një qytetar denonconte veprimet e një punonjësi policie në detyrë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë.
Menjëherë pas njohjes me rastin, drejtori i DVKM Korçë ka pezulluar nga detyra inspektorin R. S., i cili shfaqet në video. Ndaj tij është nisur procedim disiplinor, në zbatim të nenit 121 të ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, pika 1, germa “m”, që parashikon sanksione për veprime që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionit apo shërbimit policor në tërësi.
Materialet i janë dërguar Drejtorisë së Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila do të vijojë me një hetim më të thelluar mbi rastin.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkeljeje apo paligjshmërie që konstatojnë, duke i garantuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe në përputhje me ligjin.


