Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka bërë të ditur një sërë procedimesh penale të nisura gjatë 24 orëve të fundit në qytetet e Korçës, Pogradecit dhe Devollit, lidhur me ngjarje të ndryshme me karakter penal.
Kontrolli i narkotikëve – Korçë
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve kanë referuar në Prokurori materialet për shtetasin S. I., 24 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi lënde e dyshuar kanabis. Për të ka nisur procedimi penal sipas parashikimeve ligjore.
Pogradec – Dhunë në familje, dhunë ndaj të miturit dhe faqe bastesh në celular
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë referuar materialet për tre raste të veçanta:
– Shtetasi E. Xh., 51 vjeç, akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj motrës së tij, e cila tashmë është pajisur me urdhër mbrojtjeje.
– F. Ç., 58 vjeç, banues në fshatin Gurras, dyshohet se ka goditur me pëllëmbë një të mitur për motive të dobëta.
– Një 16-vjeçar është proceduar pasi gjatë kontrollit në një lokal, në celularin e tij u gjetën faqe të hapura për baste sportive.
Gjithashtu, policia e Pogradecit ka shpallur në kërkim shtetasin A. T., 46 vjeç, i cili ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar më herët nga Gjykata e Korçës për drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt.
Korçë – Konflikt fizik
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë nisur procedim penal ndaj shtetasit A. H., 52 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar se ka goditur me shuplakë një 57-vjeçar për motive të dobëta.
Ndërkohë, më datë 08.12.2025, në lagjen nr. 17 të Korçës, është konstatuar e pajetë në banesë shtetasja B. M., 70 vjeçe, ku dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale.
Devoll – Vjedhje në banesë
Në Devoll, shtetasi A. A., 52 vjeç, ka kallëzuar se në banesën e tij në fshatin Poloskë i është vjedhur një shumë parash. Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.


