Në kuadër të programit “Siguria e të rinjve” dhe në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, shërbimet e Policisë vijojnë takimet informuese dhe sensibilizuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qarkun e Korçës.
Takimet e radhës u zhvilluan nga ndihmësspecialistët e DVP Korçë për edukimin në shkolla, në bashkëpunim me stafet pedagogjike dhe psikologët e shkollave 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në Korçë, “Sadik Dilka” në Voskop, “Bardhyl Pojani” në Maliq, si dhe në shkollat “Koli Gusho” dhe “Kole Koci” në Pogradec.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e klasave të 6-ta, u trajtuan tema me rëndësi të veçantë për sigurinë dhe mirëqenien e të rinjve, si dhuna në përgjithësi, bullizmi dhe format e tij, shkaqet dhe pasojat që sjell, siguria e nxënësve në internet, si dhe ndikimet negative të përdorimit të duhanit, alkoolit dhe substancave narkotike në organizmin e njeriut.
Punonjësit e Policisë kishin përgatitur materiale ilustruese dhe fletëpalosje informuese, ndërsa prezantimi i temave u shoqërua me video dhe foto në Power Point, duke u dhënë nxënësve mundësinë të njihen konkretisht me pasojat që vijnë nga dhuna, bullizmi, keqpërdorimi i internetit dhe substancat e dëmshme.
Takime të tilla synojnë rritjen e ndërgjegjësimit të nxënësve dhe forcimin e bashkëpunimit mes Policisë, shkollës dhe komunitetit, për krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë.


