Drejtoria Vendore e Policisë Korçë ka referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedime penale për disa shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë filluar procedim penal ndaj shtetasit E. H., 41 vjeç, banues në Voskopojë, pasi dyshohet se, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, i ka shkuar në banesë dhe ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Po ashtu, është proceduar penalisht shtetasi V. O., 21 vjeç, banues në Korçë, i cili dyshohet se në lagjen nr. 17 ka kryer manovra të rrezikshme me automjet, duke prishur qetësinë publike. 21-vjeçari është ndëshkuar edhe administrativisht nga shërbimet e Policisë Rrugore.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasin E. B., 36 vjeç, banues në fshatin Velçan, Pogradec, i cili u kap duke transportuar një sasi lënde drusore me një mjet tip kamion, pa lejen përkatëse. Lënda drusore dhe automjeti u bllokuan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, më datë 26.12.2025, në Komisariatin e Policisë Korçë është paraqitur kallëzim nga shtetasja T. S., e cila ka deklaruar se pas kthimit në banesën e saj, në lagjen nr. 12, pas dy muajsh mungesë, ka konstatuar vjedhjen e saj. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.


