Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Korçë, gjatë kontrolleve të vazhdueshme për evidentimin e parkimeve të gabuara që pengojnë qarkullimin normal të njerëzve dhe mjeteve, konstatuan në lagjen nr. 1 një automjet të parkuar në mënyrë të parregullt, i cili krijonte bllokim të lëvizjes së përdoruesve të rrugës.
Pas veprimeve procedurale, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj drejtueses së automjetit, shtetases F. P., 43 vjeçe, banuese në fshatin Biranj, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon që drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të shmangin çdo lloj parkimi të gabuar që pengon lëvizjen e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve. Sipas Policisë, shkelje të tilla, sidomos ato në trotuare apo pika të ngushta qarkullimi, do të ndëshkohen me masa të menjëhershme administrative dhe penale.


