Në Korçë u zhvillua takimi vjetor i Komitetit Drejtues për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje, me pjesëmarrjen e drejtuesve të institucioneve vendore dhe qendrore. Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përmirësimin e reagimit të koordinuar për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Gjatë diskutimeve u analizua puna e deritanishme, u evidentuan sfidat dhe u theksua rëndësia e ndërhyrjes së shpejtë dhe efikase në çdo rast të evidentuar. Institucionet pjesëmarrëse ritheksuan angazhimin për bashkëpunim të vazhdueshëm, me synim parandalimin, trajtimin dhe minimizimin e pasojave të dhunës në familje.
Në përfundim të takimit, u ri-nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit për vijimin e funksionimit të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit në Korçë, e përditësuar në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi. Bashkia Korçë vijon të mbetet një nga bashkitë model në Shqipëri në këtë fushë, duke e pasur të institucionalizuar shërbimin për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje prej gati një dekade.


