Një moment domethënës për memorien historike të qytetit të Korçës është shënuar me vendosjen e bustit të intelektualit të shquar Llazar Zai Fundo në zonën këmbësore të qytetit. Monumenti është vendosur në një shesh të pedonales, shumë pranë shtëpisë ku ai u lind dhe u rrit, duke i dhënë kështu një vlerë të veçantë simbolike këtij akti.
Figura të botës akademike kanë vlerësuar lart vendosjen e bustit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt rivlerësimit të figurave të lëna në harresë nga historia. Historiani dhe profesori Aurel Plasari e përkufizoi këtë veprim si “një borxh historik ndaj Llazar Fundos, viktimë personale e regjimit të Enver Hoxhës”, duke theksuar se ky akt i kthen dinjitetin një prej mendjeve më të ndritura të shekullit të kaluar.
Akademikët nënvizuan rëndësinë e Fundos në historinë politike dhe intelektuale shqiptare, duke e konsideruar atë një prej figurave më të persekutuara, por edhe më vizionare të kohës së tij. Vendosja e bustit në zemër të Korçës shihet si një gjest rehabilitimi moral dhe historik ndaj një personaliteti që kontribuoi për modernizimin e mendimit në Shqipëri.
Ky akt përkujtimesh shënon jo vetëm nderimin e një figure të shquar, por edhe një moment reflektimi mbi të kaluarën dhe vlerat demokratike që Fundo përqafoi në jetën e tij.


